Kategoria Superiore duket se nuk është më e preferuar as nga futbollistët që vijnë nga Maqedonia e Veriut. Problemet e klubeve me financat dhe pasiguria e zakonshme rreth projekteve teknike, kanë bërë që shumë lojtarë të cilët kërkohen në kampionatin tonë, të refuzojnë ofertat që u bëhen dhe ata që nënshkruajnë, të bëjnë shpejt prapakthehu.
E tillë është edhe historia e Filip Gligorov, mbrojtësit të djathtë nga Maqedonia e Veriut i cili ishte pjesë e Vllaznisë në sezonin ea fundit. Ai ishte një titullar fiks në rreshtimin e shkodranëve dhe për ta ishte një goditje e rëndë kur që në javën e parë të qershorit, pasi i mbaroi zyrtarisht kontrata, ai ishte i pari që u largua nga klubi bashkë me trajerin Jonuz, duke mos e çuar deri në fund sezonin.
Lojtari kërkohej nga Laçi gjatë kësaj kohe, me kurbinasit që kishin synim ta bënin titullar në rreshmtimin e ekipit. Por ai ka preferuar që të mos kthehet më në Superiore, por të vazhdojë karrierën e tij në Maqedoninë e Veriut. Sot mbrojtësi është prezantuar te klubi i Shkupit me të cilin ka firmosur për një sezon.
“Jam rikthyer te Shkupi pas katër viteve, kam folur me kryesinë e klubit dhe më ka pëlqyer projekti që po bëjnë, duke formuar një skuadër të mirë që do të luftojë për titull. Më tërhoqi gjithashtu edhe ajo se do të luajmë në Ligën e Evropës ndaj Neftçit dhe do të doja që ta kalojmë raundin e parë.
Do të jap maksimumin nga vetja që të zë vend në njëmbëdhjetëshin e parë, pasi shoh se ka një konkurrencë të madhe dhe sigurisht luftë për titull”, ishsin fjalët e tij për faqen e klubit që këtë vit ka synime për të luftuar për titull. /vipsport/