Kur Caludio Ranieri pranoi të merrte drejtimin e Fulham, e dinte mirë se më çfarë do të përballej. Një ekip në krizë, pavarësisht shpenzimeve të mëdha në merkato, karaktere të vështirë për t’u menaxhuar, si ai i Mitrovic.

Gjithsesi, njeriu i mrekullisë së Leicester ka pranuar ta marrë përsipër këtë sfidë. Rezultatet? Aspak të mira deri tani. Skuadra është në vendin e parafundit të renditjes dhe lojtarët bëjnë sherr me njëri-tjetrin gjatë seancave të jogas.

A mund të shkojë më keq se kaq? Po, sepse duket se fati ka vendosur ta vërë në provë durimin e Ranieri-t. Siç ka bërë të ditur BBC, italiani do të duhet të përballet edhe me dëmtimet, që ekzistojnë dhe janë pjesë e lojës.

Megjithatë, është pothuajse e pabesueshme që një futbollist të mungojë për shumë ndeshje për shkak të një dëmtimi të pësuar duke lidhur këpucët. Kjo është ajo që i ka ndodhur Alfie Mawson, lojtari i paguar 22 milionë euro në verë dhe që nuk luan nga fundi i dhjetorit. Çfarë ka? Një problem në gju.

Si e ka pësuar këtë dëmtim? Duke bërë një nga veprimet më të thjeshta, duke veshur këpucët para zbritjes në fushën e lojës. Edhe vetë Ranieri, kur ka dhënë lajmin në konferencë për shtyp, e ka patur të vështirë ta besojë. “Ka qenë një dëmtim absurd. Thjesht ka ndërruar këpucët. Është një gjë e pabesueshme”, ka thënë trajnerit.

Problemi është së dëmtimi zgjat prej disa kohësh dhe tani është e vështirë të parashikohet koha e rikuperimit. “Ka nevojë për më shumë kohë për të marrë veten. Sa? Nuk e di”. Duket sikur fati kërkon t’i marrë mbrapsht gjithçka i dha gjatë sezonin përrallor me Leicester. Megjithatë, “King Claudio” nuk do të dorëzohet, edhe nëse do t’i duhet t’ia lidhë vetë këpucët lojtarëve të tij. /telesport/