Air Albania Stadium, impiant për të cilin janë investuar rreth 80 mln euro, vazhdon të prodhojë lajm edhe disa muaj pas inaugurimit të tij.

Ky investim kolosal, edhe pse me shumë prapaskena të dyshimta, është përzgjedhur për të marrë çmimin BigSEE Architecture Award 2020. Madje, është nominuar edhe si projekti më i mirë (Grand Prix) në kategorinë publike.

Fituesit e BigSEE Architecture Award do të vlerësohen në festivalin e madh të arkitekturës që do të zhvillohet më datë 16 Tetor 2020 në Qytetin e Dizajnit në Lubjanë të Sllovenisë.

Në këtë festival të gjithë projektet do të ekspozohen për të pranishmit nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.