Ditët e fundit, ka qarkulluar në mediat italiane, një lajm i bujshëm, që e lidh mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla, me Interin. Sipas “Sky Sport”, 20-vjeçari, ka arritur akordin paraprak me zikaltërit e Interit, teksa me shumë gjasa do t’i bashkohet skuadrës së Kontes, sezonin e ardhshëm.

Në lidhje me këtë hipotezë të mundshme, ka folur edhe ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili në një prononcim për “Tuttosport”, nuk ka nguruar t’i thurë elozhe, Marash Kumbullës, duke u shprehur:

“Është gati, ka personalitetin dhe cilësitë e duhura për t’u bashkuar me një skuadër të madhe si Interi. Askush nuk e priste shpërthimin e tij të menjëhershëm. Mjafton të shikosh se çfarë ka qenë i aftë të bëjë vitin e kaluar. Kumbulla nuk u aktivizua farë në Serinë B, por këtë vit, falë trajnerit Juric, u shndërrua një nga mbrojtësit më të mirë të Serisë A. Aq sa për të bërë mbrojtjen e Veronës të katërtën më të mirë të kampionatit.

Është një djalë i zoti, të gjithë flasin mirë për të. Kishte fizik të fortë si dhe ishte shumë teknik në daljen nga mbrojtje me topin në këmbë. Me Juriçin trajner u zhvillua taktikisht, ka inteligjencë dhe di t’u paraprijë situatave, cilësi që i japin mundësi ta mbulojë shumë mirë zonën e tij. Ai di të luajë kudo, mund të jetë partner perfekt për çdo mbrojtës.

Është një i djathtë natyral, por di të përdorë shumë mirë edhe të majtën. Mund të bëhet menjëherë një lojtar i rëndësishëm për Interin, për aftësitë që ka dhe kapacitetin mendor. Është talent konkret, jo i fryer”, u shpreh De Biazi.