I ardhur në dy periudha të ndryshme tek Vllaznia dhe një nga ata që ka lënë një shije të mirë tek tifozët me lojën e tij. Po flasim për Silvio Rodrigues. Sulmuesi ka luajtur për herë të parë me Vllazninë në sezonin 2018-19 në Kategorinë e Parë duke shënuar 11 gola.
Largimi nga shkodranët do ndodhte menjëherë pas atij sezoni, por rikthimi do ishte shumë i shpejtë. Kjo në sezonin 2019-20. Më saktë në janarin e vitit 2020 e deri në përfundim të sezonit në maj. Që nga ajo kohë është dëgjuar shumë pak për 27-vjeçarin.
Nga Shqipëria, Silvio u aktivizua në kampionatin e Azerbajxhanit me Keshlan. Aktivizimi nuk mungoi ku numëroi 27 prezenca në sezonin e shkuar duke shënuar edhe 4 gola në kampionat. Por braziliani duket se në çdo sezon është me “valixhe në duar”.
Tashmë këtë sezon ai po eksploron futbollin në kontinentin aziatik. Së fundmi Silvio ka nënshkruar me ekipin e Al Dhaid. Skuadër që bën pjesë në ligën e parë (kategoria e dytë për nga rëndësia) të Emirateve të Bashkuara Arabe. Sulmuesi tashmë është shndërruar në një “sheik” dhe pret që të shënojë sa më shumë gola me ekipin e tij të ri.
Endri ÇINARI