Detaje të reja mësohen nga vdekja e boksierit bullgar Boris Stanchov, i cili ndërroi jetë në ring gjatë ndeshjes kundër boksierit Ardit Murja në Shkodër.

Ndonëse Stanchov nuk duhet të ishte në atë ring, pasi ai po përdorte identitetin e kushëririt të tij, Isus Velichkov, si dhe përdorte licencën e tij të boksit, dyshohet se ai ka ndërruar jetë pas konsumimit të një ampule me përmbajtje të panjohur.

Policia bullgare ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e boksierit, dhe gjatë marrjes në pyetje të shokut të ekipit, Ruslan Nikolov ka zbuluar detajin tronditës.

“Trajneri i dha atij diçka si ampulë, për ta bërë më agresiv dhe më të motivuar në ring. Por ai nuk pranoi ta pinte. Pastaj trajneri i tha “mos u bëj fëmijë por pije”. Ai derdhi gjysmën e ujit nga gota dhe piu gjysmën tjetër. Nuk dua të gënjej. Po ju them vetëm atë çka di”, ka deklaruar Ruslan Nikolov.

Stanchov, 21-vjeç, ndërroi jetë të shtunën e kaluar gjatë “Boxing Night” në Shkodër. Ai u rrëzua në ring pasi pësoi sulm në zemër, dhe më pas u transportua me urgjencë drejt spitalit të qytetit, por mjekët nuk mundën ta mbanin në jetë. /Newsbomb.al