Tek Vllaznia puna për sezonin e ri ka nisur dhe hapi i parë është hedhur sot me prezantimin e drejtorit të ri sportiv, kroatit Matko Djarmati. Në opinionin sportiv shkodran por edhe në media në fakt është pritur ndoshta që sot të prezantohej edhe trajneri i ri, gjermano- kroati Thomas Brdariç.

Kjo nuk ka ndodhur dhe mbase një gjë e tillë ka shtuar dilemat nëse ai do të ishte apo jo në këtë detyrë tek Vllaznia për sezonin e ri. Por burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se me Brdariç thjesht po bisedohet për kushtet e kontratës dhe mënyra si do të ndërtohet ekipi, ndërkohë që firma në kontratë pritet në fillimin e javës së ardhshme.

Në fakt, tashmë drejtuesit e klubit nuk duhet të humbasin më shumë kohë dhe të mendojnë për nxjerrjen e skuadrës në stërvitje dhe përpos zyrtarizimit të trajnerit, e rëndësishme është të nisë kompletimi i skuadrës me lojtarët e duhur sepse aktualisht numri i futbollistëve me kontratë është shumë i vogël.

Sponsori Xhaferi, administratori Lici dhe drejtori sportiv në fakt janë çdo ditë në lëvizje dhe po bëjnë maksimumin për të ndërtuar skuadrën e duhur e cila shpresohet të ketë objektiva të rëndësishme për sezonin e ardhshëm.
www.shkodrasport.com