Boksi shkodran dhe ai shqiptar ka marrë para pak ditësh një lajm shumë të mirë. Një nga emrat e shquar të tij, Nelson Hysa, ka vendosur t’i rikthehet sërish stërvitjes dhe duket shumë i motivuar për të bërë më të mirën për ekipin e Vllaznisë dhe kombëtaren shqiptare.

Pas një periudhe disi të gjatë problemesh dhe shqetësimesh, kampioni shumëvjeçar ka marr një vendim shumë të rëndësishëm për t’u rikthyer shumë shpejt në ring.

Për këtë arsye, ai po stërvitet me intensitet gjatë këtyre ditëve bashkë me boksierët e tjerë të ekipit kombëtar në grumbullimin që ka nisur në Velipojë dhe Hysa është dy herë në ditë në stërvitje.

Kampioni i peshave të rënda ka ndër mend të mos heqë dorë kollaj nga karriera sportive dhe po ashtu edhe nga sukseset teksa po stërvitet me shumë dëshirë, për t’u rikthyer aty ku e ka lënë më parë, si kampion.

Në një prononcim të tij për “Shkodra Sport” Nelson Hysa është shprehur: “Do më shihni shumë shpejt në ring dhe kam ambicje të mëdha për të vijuar karrierën time. Premtoj se nuk do të ndalem me kaq sa kam arritur por do të tentoj të thyej rekorde të mëdha në boksin shqiptar”.
www.shkodrasport.com