Ismael Dunga ishte një nga befasitë e mëdha të Vllaznisë së këtij sezoni. Sulmuesi nga Kenia luajti vetëm 7 ndeshje në kampionat dhe shënoi 4 gola me fanellën kuqeblu, duke i dhënë pikë shumë të rëndësishme skuadrës për vazhdimësinë e sezonit.
Në Shkodër e kujtojnë ende atë gol në frymën e fundit ndaj Tiranës, kur Vllaznia fitoi 3- 2. Mirëpo, 27-vjeçari u largua nga kuqeblutë dhe pas shumë negociatash u transferua në Japoni te klubi i Ligës së Parë, Sagan Tosu.
Duke qenë nën kontratë me shkodranët, klubi përfitoi nga ky kalim në Japoni një shumë prej 100 milionë lekësh të vjetër në total.
Mirëpo, në llogaritë e Vllaznisë ende nuk është bërë nga japonezët kalimi i kësaj shifre, edhe pse në bazë të marrëveshjes që kanë bërë palët, transaksioni ka si limit fundin e muajit shkurt.
“Panorama Sport” zbulon se në kontratën e shitjes, të firmosur nga klubi shkodran dhe ai japonez, Vllaznia ka ruajtur 20% të kartonit të Dungës. Pra, në rast rishitjeje të mundshme të sulmuesit drejt një klubi tjetër nga ai aktual, Sagan Tosu, shkodranët do të përfitojnë 20% të shumës së transferimit.
Një “operacion” i mbyllur më së miri, edhe pse Vllaznia hoqi dorë nga një sulmues goli, që për aq pak kohë sa qëndroi, e tregoi veten.