Klubi i Muskron më në fund ka marrë vendimin sa i përket pankinës së skuadrës, ku në tre javët e fundit është ulur Rudi Vata.

Trajneri Bernd Holerbah vazhdon të vuajë nga pneumonia akute dhe për momentin nuk mund të jetë i pranishëm në stërvitje apo në ndeshje, ndaj është menduar që për këtë sezon të mos jetë më ai në detyrë, por të mendojë që të riaftësohet qetësisht.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi bëri të ditur se zëvendësuesi i Holerbah deri në fund të sezonit të rregullt është Filip Sent-Zhon, drejtori i akademisë, i cili edhe në të kaluarën ka mbajtur rolin  trajnerit të parë të Muskron e si rrjedhojë njeh mirë të gjitha dinamikat e skuadrës.

Kështu, pas tre ndeshjeve si trajner i improvizuar, Vata nuk do të ketë më këtë detyrë dhe këtë e sqaroi edhe vetë klubi në komunikatën e sotme.

“Sa i përket Rudi Vatës, i cili kishte marrë drejtimin që nga fundi i fazës përgatitore, ai do të rigjejë pozicionin e tij si këshilltar sportiv”, shkruhej në komunikatën e klubit të Muskron. /vipsport/