Ka vetëm pak muaj që i është bashkuar ekipit KF Murlani U17, megjithatë ka spikatur menjëherë duke u shndërruar në një pikë referimi për të. E kemi fjalën për futbollistin Jurgen Qemali i cili është sulmuesi kryesor i këtij ekipi dhe me të drejtë u shpall edhe lojtari më i mirë i kupës “Ismet Hoxha” për këtë grupmoshë.
16 vjeçari natyrisht që tregohet modest për këtë sukses të parë duke e ndarë me pjestarët e tjerë të ekipit teksa vlerëson edhe ambjentin shumë të mirë që ka gjetur tek KF Murlani me të cilin dëshiron të arrijë të tjera suksese.
Jurgen kuptohet që ka ëndrrat e tij për të ardhmen dhe ato i bën të ditura edhe në intervistën e tij për “Shkodra Sport”, por më tepër është i fokusuar tek momenti dhe kërkon të bëjë më të mirën për vete dhe për ekipin. Për më shumë lexoni intervistën e dhënë për gazetën tonë:
– Kohet e fundit jeni bere pjese e KF Murlani. Çfarë është kjo skuader tashme për ju?
Edhe pse KF Murlani është një ekip i ri në kampionat dhe nuk ka shumë kohë që unë jam pjesë e tij, ky ekip ka zënë një vend të madh tek unë.
– Një skuadër e sapoformuar me lojtarë që nuk kanë eksperiencë por mesa duket se jeni surpriza e kampionatit. Si janë marëdhëniet me stafin dhe pjesën tjetër të skuadrës?
Duke shikuar seriozitetin, punën dhe stafin që ky ekip ka, bëri që unë të tranferohesha nga Vllaznia tek KF Murlani. Marëdhëniet kanë qenë që në fillim dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira me stafin dhe gjithashtu me ekipin. Jemi një grup që do luftojmë deri në fund për qëllimet tona dhe kjo po shihet mjaft mirë edhe në rezultate.
– Cilat janë objektivat e KF Murlanit këtë vit si ekip i sapoformuar?
Duke marrë parasysh që Kf Murlani sapo është formuar, synimi kryesor është të rritet cilësia e lojtarëve si fillim, në mënyrë që të arrijmë të korrim edhe më shumë suksese.
Duke parë punën që po bëhet dita-ditës ekipi jonë do arrijë shumë shpejt të kryesojë kompionatin dhe të rrëmbejë sa më shumë trofe, siç ishte edhe ky i fundit.
– Në finalen e luajtur për kupën “Ismet Hoxha”, ku ekipi juaj doli fitues i trofeut pas gjuajtjes së 11-metërshave, keni marrë gjithashtu edhe titullin “lojtari më i mirë” i këtij aktiviteti. Si u ndjetë pas këtij vlerësimi?
Normalisht për çdo sportist është kënaqësi të fitojë tituj në aktivitetet e zhvilluara herëpashere. Ky ishte një trofe që vlerëson punën time si sportist dhe që më motivon për vazhdimësinë time në këtë rrugë. Fundja ky ishte edhe qëllimi i klubit dhe për këtë ndihem krenar.
– Kush është ëndrra jote më e madhe apo synimi që ke për të ardhmen?
Ëndrra ime ka nisur 9 vite më parë ndersa synimet e mia për të ardhmen janë që me anë të punës time të arrij të jem pjesë e Kombëtares Shqiptare dhe pse jo të luaj edhe në ligat Europiane.
Intervistoi: Fabiola CAKA