Tërbuni arriti një fitore spektakolare në javën e 4-ët të Kategorisë së Parë. Pukajnët përmbysën shifrat nga 2-0, në 2-3 kundër Besëlidhjes. Duke u ngjitur kështu në vendin e 3-të me 8 pikë, po aq sa kanë Dinamo dhe Korabi në dy vendet e para.

Një nga protagonistët e ndeshjes ishte edhe Anderson Filipi. Mesfushori në prononcim për “Shkodra Sport” shprehet se është ende i emocionuar nga fitorja e së shtunës e ndërsa shton se skuadra ka “uri” në këtë sezon.

Filipi tha: “Ishte një ndeshje e pabesueshme kjo kundër Besëlidhjes. Ende jam i emocionuar nga ajo përmbysje dhe fitore që arritëm. E merituam totalisht pasi vumë zemrën në fushë, e arritëm të kënaqnim edhe tifozët tanë. Në një fushë të vështirë si ajo e Lezhës, arritëm një sukses me vlera.

Tërbuni ? Ne kemi treguar se kemi një ekip cilësor dhe me elementë plot eksperiencë. Futbollistë që kanë luajtur me vite në Superiore. Kategoria e Parë ka emra të mëdhenj këtë sezon si: Dinamo, Skënderbeu apo edhe Flamurtari.

Por ne do luftojmë në çdo ndeshje për të arritur më të mirën. Duam që në fund të jemi në vendet e para të renditjes e pse jo të mos pretendojmë edhe për më të mirën”.
Endri ÇINARI