Xhovani Kolela e ka cilësuar si mendjemadhësi të Partizanit barazimin e sotëm ndaj Erzenit. Tekniku i të kuqve ka theksuar se kjo ishte pasojë e faktit se skuadra e kishte menduar të mbyllur ndeshjen para kohe.

“Çfarë ndodhi? Kundërshtari na shënoi dy gola. Ishim mendjemëdhenj dhe me të drejtë u ndëshkuam.

Gjithmonë është përgjegjësia ime, nuk është se ndryshon sot, nesër a pasnesër. Përgjegjësia e parë është gjithmonë e imja. Pastaj kur ka ndërprerje si e sotmja, shpesh ndodh që ndeshja ndryshon. Por ishim shumë mendjemëdhenj, menduam se e kishim fituar ndeshjen dhe Erzeni na barazuan me të drejtë.

Mu desh të bëja zëvendësime, nuk ishin për zgjidhje taktike. Ka pak për të thënë nëse ishin të drejta apo jo, duheshin bërë. Nuk mendoj se është ky problemi, kishim rastet tona për të shënuar më shumë gola dhe nuk i bëmë. Ishim mendjemëdhenj, unë i pari, se aty duhej mbyllur ndeshja dhe kur nuk bëhet ndodhin këto gjëra dhe pikë.

Meqë kishim ndërrime të detyruara, ishin të thjeshta. Fillimisht duhet të luante Hoti pas shpinës së Carës e Skukës, pastaj Matondo kishte probleme edhe kaluam me 3 mbrapa dhe me dy mesfushorë. Pastaj Rrapaj u ndëshkua, u nervozua, dhe e hoqa që të mos përjashtohej me të kuq. Në atë moment kaluam me dy gjysmëkrahë, pastaj Hoti u dëmtua ndaj na u desh të ndryshonim përsëri me 3-4-3 duke aktivizuar Jonuzin. Praktikisht kemi ndërruar katër herë, katër zëvëndësime, katër zëvendësime taktike. Nuk ishte edhe aq e vështirë të kuptohej. Për fat të keq ishin zëvendësime të detyruara, të gjitha përveç Buxhelajt.

Da Silva është lënë jashtë për çështje kujdesi, meqë ka të kaluar me probleme. Po mundohemi që të përmirësohet gjendja e tij, u stërvit para ndeshjes.

Goli i Carës? E komentova në pankinë që kur një lojtar sulmi nuk shënon prej kohësh, goli i parë që bën është eurogol”, tha Kolelka pas sfidës për “Oversport”.