UEFA nuk do që kampionatet të mbyllen pa u zhvilluar ndeshjet e mbetura të tyre. Nëse më parë ishte një sugjerim, tani është një “kërcënim” I hapur për të gjithë ata që do të ndjekin shembullin e Belgjikës e cila mbylli sot zyrtarisht kampionatet e saj. Belgjika bëri të ditur se nuk do të vazhdonte më kampionatin, por do ta cilësonte të mbyllur pasi nuk shihte ndonjë skenar të mundshëm për të vazhduar sezonin.

Por në letrën që UEFA u ka dërguar të enjten në darkë Federatave, përfshirë edhe FSHF-së që më pas duhet t’ua kalojë klubeve, kërkohet që ata të kenë durimin për të mbyllur këtë sezon në fushën e lojës.

“Jemi të bindur se futbolli mund të rifillojë në muajt në vijim, në bazë të kushteve të diktuara nga autoritetet publike, dhe besojmë se çdo vendim për të braktisur në mes aktivitetet kombëtare në këtë fazë është i parakohshëm dhe i pajustifikuar”, shkruhet në letrën që presidenti Aleksander Çeferin ka firmosur përkrah presidentit të shoqatës së klubeve Europiane (ECA), Andrea Anjeli dhe Lars-Krister Olson, presidentit të Shoqatës së Ligave Europiane (EL).

UEFA bënte të ditur se kishte krijuar dy grupe pune për të parë skenarë të ndryshëm duke pranuar se po mendon edhe shtyrjen e kampionateve në gusht. “Puna e tyre po fokusohet në skenarë që përfshijnë edhe muajt e korrikut dhe gushtit, përfshirë edhe mundësinë që aktivitetet e UEFA-s të rifillojnë vetëm pas mbylljes së kampionateve kombëtare.

Kërkohet një menaxhim i përbashkët i kalendarëve pasi përfundimi i sezonit aktual duhet të koordinohet me fillimin e të riut, i cili mund të ndikohet për shkak të zgjatjes”, theksohej në këtë letër që shpjegon se në muajin maj do të ekzistojë një ide e mirë se cili prej skenarëve vihet në zbatim.

Në fund, vinte edhe “kërcënimi” se vendet që do të vepronin në mënyrë tjetër, rrezikonin pjesëmarrjen në Kupat e Europës për edicionin e ardhshëm. “Meqë pjesëmarrja në kompeticionet e klubeve të UEFA-s përcaktohet nga rezultati sportiv i arritur në fund të një kampionati kombëtar të plotë, një mbyllje e parakohshme do të hidhte dyshime mbi plotësimin e këtij kushti.

UEFA rezervon të drejtën të vlerësojë përputhshmërinë e klubeve që do të pranohen në kompeticionet e edicionit 2020-2021, në përputhje me rregulloret përkatëse të garave. Ne e dimë se sa ju të gjithë ndani me ne parimet bazë të sportit tonë dhe ndjejmë mbështetjen tuaj në misionin tonë për të mbrojtur integritetin e kompeticioneve të tij”, shkruhej në letrën e UEFA-s.

Udhëzimi është i qartë tashmë se çdo kampionat që mbyllet para kohe, me siguri nuk do të ketë skuadra pjesëmarrëse në turnetë në vitin e ardhshëm me një kosto shumë të rëndë financiare mbi të gjitha, sidomos për vende si Shqipëria ku të ardhurat e UEFA-s janë burimi më I rëndësishëm ekonomik. /vipsport/