Kampionatet kombëtare kanë prioritet dhe do të vazhdojnë të luhen derisa ta shohin të arsyeshme vendet e ndryshme në bazë të situatës me koronavirusin.

Ky është qendrimi i ri zyrtar i UEFA-s, e cila ka përgënjeshtruar lajmin e dale së fundmi se kishte planifikuar 3 gushtin si datën përfundimtare për zhvillimin e ndeshjeve duke planifikuar aty mbylljen e edicionit me finalen e Ligës së Kampioneve.

Zyra e shtypit shpërndau sot një komunikatë ku përgënjeshtroi fjalët e ZDF sipas të cilës kjo ishte data që vetë Çeferin kishte përmendur si atë të mbylljes së aktiviteteve gjatë një interviste të dhënë për të.

“Nuk është e vërtetë. Presidenti ka qënë i qartë teksa nuk ka caktuar data të mirëfillta. UEFA po analizon aktualisht të gjitha opsionet e saj për të kompletuar sezonet kombëtare dhe europiane bashkë me ECA dhe Ligat Europiane në një grup pune të krijuar që më 17 mars.

Prioriteti i të gjithë anëtarëve të grupit të punës është ruajtja e shëndetit publik. Aktualisht janë në diskutim disa opsione për të luajtur ndeshjet në korrik e gusht, nëse është e nevojshme, në varësi të datave të rifillimit dhe të autorizimit nga autoritetet kombëtare”, ishte shpjegimi i UEFA-s rreth kësaj teme. /vipsport/