Në pritje të zyrtarizimit të shtyrjes së Kampionatit Europian në verën e vitit 2021, UEFA është në këto momente duke zhvilluar videokonferencën e udhëhequr nga presidenti Aleksander Ceferin me 55 federatat europiane të futbollit.
Por burime të brendshme nga UEFA kanë bërë me dije propozimet që organizmi europian i futbollit i ka bërë autoriteteve kombëtare. “The New York Times” ka zbuluar se Euro 2020 do të shtyhet në verën e një viti më pas (2021).
Kampionatet do të tentohet të mbyllen të gjitha brenda qershorit dhe do të krijohen dy grupe pune, njëri që do të merret me përcaktimin e kalendarit ndërsa tjetri që do të merret me financat. Konfirmimi i këtyre masave pritet të bëhet në orët në vijim.
Në këto kushte, edhe elita e vendit tonë do të nisë “rrugëtimin” e saj pas një vendimi të dytë të FSHF-së. Hë për hë me rëndësi është që numri i të prekurve nga Covid 19 të fillojë të ulet. Gjasat janë që Superiorja të vazhdojë të luhet deri në verë, periudhë që do të zbulojë përfundimisht skuadrën kampione të elitës.