Në limitet e merkatos së verës, mesfushori i Vllaznisë Uendi Vecaj realizoi një transferim të rëndësishëm teksa firmosi për klubin e njohur kroat të Dinamos së Zagrebit. Prova që 20 vjeçari kishte zhvilluar me këtë skuadër mesa duket i bindi drejtuesit e këtij klubi për vlerat e tij dhe për këtë arsye, ata vendosën ta bëjnë pronë të tyre. Natyrisht që Vecaj fillimisht do të kalonte të luante me ekipin B, ku do të formohet ashtu si duhet. Dhe ish- lojtari i Vllaznisë pasi disa javësh me probleme të lejes së qëndrimit, duket mëse i kënaqur në përvojën e tij të re. Lojtari ka dhënë një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” ku thotë:
-Uendi si po të shkojnë punët në Kroaci?
Tashmë shumë mirë. Në fillim pata problemin e marrjes së lejes së qëndrimit. Këtu në Kroaci ekziston një rregull se të huajt nuk mund të luajnë nëse nuk marrin dokumentacionin e plotë të lejes së qëndrimit. Një gjë e tillë zgjati deri në mesin e muajit tetor por tashmë çdo gjë ka përfunduar dhe kam filluar të luaj. Jam aktivizuar në tre ndeshjet e fundit dhe besoj se do të vazhdoj të aktivizohem edhe në vazhdim.
-Ke luajtur si titullar?
Jo ende nuk e kam fituar vendin e titullarit. Të mos harrojmë se unë kam shkuar shumë vonë tek Dinamo e Zagrebit kur kampionati kishte filluar dhe trajneri e kishte konfiguruar skuadrën, formacionin dhe gjërat e tjera. Por jam duke punuar shumë në stërvitje dhe po mundohem të bindë trajnerin për vlerat e mia. Në ndeshjen e fundit ndaj NK Varazhdin kam luajtur 25 minuta dhe mendoj se jam paraqitur mirë ngaqë edhe trajneri më përgëzoi për lojën e zhvilluar. Jam duke luajtur në pozicionin tim të preferuar, atë të mesfushorit të krahut të djathtë.
-Ndonjë problem ambjentimi apo ndonjë pakënaqësi?
Asnjë problem të tillë nuk kam hasur. Si shokët e ekipit ashtu edhe trajnerët më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur duke më ofruar mundësinë që të përshtatem sa më shpejt me aambjentin aty.
-Ju ka penguar mungesa e gjuhës?
Pavarësisht se nuk e flas krejt mirë gjuhën angleze, jam munduar të komunikoj në këtë mënyrë me ta. Nuk kam hasur ndonjë vështirësi por nga dita në ditë po përmirësohem dhe besoj se nuk është më problem.
-Cili është objektivi yt i rradhës?
Të bindë trajnerin për të më ofruar një vend në formacion sepse kam dëshirë të tregoj vlerat e mia. Ky sezon i parë në Kroaci do të më shërbejë për t’u rritur nga ana profesionale. Mund t’u them se po realizoj ëndërrën time të madhe për të luajtur në një klub të njohur europian dhe prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse të punoj fort.

© shkodrasport.com