Ditën e djeshme ka ndërprerë kontratën me Teutën por shumë shpejt mund të gjejë një ekip të ri. E kemi fjalën për mesfushorin shkodran Uendi Vecaj.

Ajo çka është më interesantja ka të bëjë me faktin se 22 vjeçari u largua nga një shkodran, pikërisht Edi Martini që mori drejtimin e Teutës, por mund të vihet nën urdhërat e një tjetër shkodrani, Armando Cungut.

Kjo ngaqë Vecaj nga sa merret vesh, po kërkohet nga drejtuesit e Laçit dhe në ditët në vijim pritet edhe firma në kontratë.

Vetë lojtari në fakt e kishte paralajmëruar këtë gjë në prononcimin e dhënë në media pas largimit nga Teuta kur deklaronte: “Besoj se do të vijoj të luajë në Superiore sepse kam oferta”.

Nuk ka thënë asgjë më shumë sepse më parë dëshiron të mbyll marrëveshjen me ekipin e tij të ri. Por nëse Edi Martini nuk preferoi ta kishte në skuadrën e tij, krejt ndryshe duket se mendon Armando Cungu dhe prandaj Laçi mund të jetë destinacioni i ardhshëm i mesfushorit me tipare sulmuese.
© shkodrasport.com