Cristiano Ronaldo u rikthye te goli në duelin e Europa League ndaj Sheriff Tiraspol në suksesin 3-0 të Manchester United.

Ylli portugez rigjeti buzëqeshjen të enjten, teksa shpreson të përfitojë minuta edhe në duelin e së dielës ndaj West Ham.

United presin “Çekanët” në “Old Trafford” (e diel, 17:15, SuperSport 2), përballje të cilën djemtë e Ten Hag duan ta fitojë për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive të javëve të fundit.

Diogo Dalot, shoku i CR7 tek United dhe kombëtarja portugeze, deklaroi për Sky Sport UK se “Djajtë e Kuq” janë një ekip më i mirë dhe më i fortë me sulmuesin 37-vjeçar në fushë.

“Me Ronaldon në fushë, ne jemi një ekip më i mirë. Ne jemi të lumtur që ai është këtu“, bëri të ditur anësori i djathtë luzitan në lidhje me pesë herë fituesin e Topit të Artë dhe golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit.