Gazetari shkodran, Admir Uruçi ka folur së fundmi për situatën që po kalon Vllaznia në futboll. Ai thekson se ka ngelur shumë i zhgënjyer nga performancat e fundit të skuadrës dhe në duelin kundër Bylis priste një reagim.

Sipas Uruçit, skuadra duhet të gjejë forcën dhe motivimin e duhur në këto ndeshje që kanë mbetur. Ku tashmë nuk duhet të mendohet vetëm për zonën sipër të tabelës, por dhe pjesën poshtë, ku Laçi i vendit të 8-të është vetëm 5 pikë pas kuqebluve në tabelën e klasifikimit.

Uruçi tha: “Ndeshja kundër Bylis la shumë të zhgënjyer të gjithë dhe këtë e konfirmojnë më së miri edhe reagimet që pati publiku shkodran në shkallët e stadiumit në fundin e ndeshjes. Dhe pavarësisht se në stadium nuk ishin shumë tifozë të shtunën, e garantoj që të njëjtin reagim kanë pasur të gjithë edhe ata që e kanë ndjekur ndeshjen nga televizioni. Realisht unë prisja një Vllazni totalisht tjetër.

Por në fushë ishte ajo që kemi parë me Josen. Jo vetëm nga formacioni që u paraqit në startin e sfidës, por dhe nga mënyra e interpretimit të lojës u duk se asgjë nuk kishte ndryshuar. Një skuadër shumë e avashët në veprime, që në asnjë moment nuk e kapi në befasi Bylisin. Vllaznia në 90 minuta lojë krijoi vetëm një rast për gol me Kainan në fund. Nuk ishte çudi që ndeshja edhe të humbej me rastet që kishin ballshiotët.

Skuadra patjetër ka objektiva madhorë dhe do të fitojë trofe, por me një performancë të tillë duhet të mendojë ndoshta edhe për pjesën që i vjen pas shpine.

Sepse Laçi i vendit të 8-të është vetëm 5 pikë larg Vllaznisë, ku gjithçka duket e hapur në çdo front për çdo skuadër. Kampionati do jetë i ashpër deri në fund dhe ekipi duhet të gjejë reagimin që minimalisht të arrijë kupat e Europës në fundin e edicionit”.
Endri ÇINARI