Laçi humbi ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit në kohën shtesë, duke i hapur oreksin rivalit direkt për mbijetesë. Skuadra e Gentjan Mezanit u gjend në disavantazh në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa më pas barazoi me Saliu Guindo.

Bardhezinjtë pësuan një shok psikologjik pas golit të anuluar të Babatundes, që i jepte avantazhin 1-2. Mirëpo, nga një ndeshje ku një pikë nuk mund të konsiderohej rezultat negativ, kurbinasit dolën me humbje nga stadiumi i Kamzës.

Kjo riktheu edhe një herë Laçin në makthin e mbijetesës, teksa aktualisht pas 27 javësh kampionat është në vendin e tetë, që do të thotë “play out” (një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore me skuadrën fituese të fazës “play off” në Kategorinë e Parë).

Ndërkohë, kalendari i rezervon në javën e 28-të ekipit kurbinas një takim “bombë” në transfertë kundër Teutës, që është rival direkt për mbijetesën, pasi ka vetëm një pikë më tepër se bardhezinjtë.

Në stadiumin “Niko Dovana” skuadra kurbinase ka treguar se di të marrë rezultate maksimale, por këtë herë duhet të bëjë llogari edhe për të shmangur humbjen, pasi një tjetër rezultat negativ do ta komprometonte edhe më tepër situatën. Bylisi ndjekës ka vetëm katër pikë më pak, kështu që Laçi është më i rrezikuar se kurrë.