Myrto Uzuni udhëhoqi Granadan drejt ngjitjes në La Liga. Në ndeshjen e fundit të LaLiga2, përballë Leganes (2-0), “bomberi” beratas e zhbllokoi rezultatin në minutën e 42-të, pas u shërbye me zgjuarsi me kokë nga Puerta.

Një gol me shumë peshë ky i shënuar nga sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, pasi ekipit andaluzian i mjaftonte thjesht një pikë për të siguruar matematikisht ngjitjen në elitë.

Për Uzunin është goli i 23-të sezonal në kampionat, ku ka dhënë edhe pesë asiste. Ndjekësi më i afërt, De Haro i Mirandes, ka shënuar katër gola më pak.

Granada realizoi golin e dytë, atë të sigurisë, me Zaragozan në minutën e 58-të.

Granada falë këtij suksesi dhe barazimit 0-0 mes Las Palmasit dhe Alavesit e mbyll kampionatin në vendin e parë. Uzuni, sikurse pritej, fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë.