Luan në Bullgari për të dytin sezon me rradhë por mendjen e ka në Shkodër. Pikërisht tek Vllaznia, skuadra e tij e zemrës dhe natyrisht që nuk ndjehet mirë kur ajo nuk shkon ashtu siç duhet. Armando Vajushi, në të njëjtën periudhë një sezon më parë, ka luajtur për kuqeblutë dhe bashkë me Sukajn kanë formuar një dyshe që vonë do t’I vijë kësaj skuadre. “Mendoj se ka një ndryshim shumë të madh në mes dyshes tonë, Sukaj- Vajushi dhe kësaj të sotmes, Hysa- Rexha. Këtë nuk e them vetëm unë por një Shkodër e tërë. E tregojnë golat që janë shënuar nga ne dhe “thatësia” që ka pushtuar sulmuesit aktualë të Vllaznisë.

Ajo që dua të them unë se si Hysa ashtu edhe Rexha, para se të firmosnin me Vllazninë, duhej të ishin informuar se cilën fanellë janë duke veshur. Ata të dy nuk duhet të kujtojnë se janë duke luajtur me ekipet e tyre të mëparshme që s’kanë pasë fanellë të rëndë. Prandaj duhet të shtrëngohen dhe t’I tregojnë vlerat e tyre sepse nuk u vjen shpesh mundësia të jenë pjesë e një skuadre si Vllaznia”- ka thënë bjondi 20 vjeçar që luan për Liteksin në Bullgari. I pyetur në lidhje me mënyrën si e sheh skuadrën shkodrane këtë sezon, ai në fund të prononcimit të tij do të thoshte: “Dëshira është e madhe që ajo të jetë në mes ekipeve pretendente. Nisja që I ka bërë kampionatit nuk është ajo e duhura por kam shumë shpresë se gjërat do ndryshojnë pa kaluar shumë kohë”.

Gjergj KOLA