Ka shënuar ditën e djeshme golin e vetëm të ndeshjes Korabi- Vllaznia, por që i ka mjaftuar ekipit shkodran për ta fituar këtë sfidë shumë të vështirë.

Mbrojtësi vlonjat Valto Zeqaj në këtë mënyrë përveçse ka bërë siç duhet detyrën e tij si mbrojtës (këtë herë ka luajtur në qendër bashkë me Antonio Markun), ka shënuar edhe golin e vetëm të ndeshjes.

Një gol i shënuar me kokë që është një nga specialitetet e tij dhe ndonëse e kishte provuar edhe më parë këtë gjë, i pari me fanellën e Vllaznisë ka ardhur vetëm në javën e 19-të të kampionatit.

Padyshim që këtë gol ndër të tjera Zeqaj duhet t’ia dedikojë trajnerit Hasan Lika, njeriut që besoi tek ai. E kishte patur për pak kohë si sportist kur drejtonte Luftëtarin dhe me të ardhur në Shkodër duke qenë se skuadra kishte nevojë për ndërhyrje në repartin e mbrojtjes, ua sugjeroi drejtuesve të klubit.

Ata e morën, firmosën me të ndonëse në fillim kishin ndoshta edhe pak mosbesim për 23 vjeçarin vlonjat, megjithatë ai po ua shërblen ashtu si duhet të gjithëve.

Nuk ka luajtur vetëm në ndeshjen e parë të kampionatit për shkak të dokumentacionit dhe nga java e dytë e deri më sot, ka qenë gjithnjë në fushë në 18 ndeshjet e tjera, duke i luajtur të gjitha nga 90 minuta.

I rritur tek Flamurtari, ai ka provuar të luajë edhe me Besën, Sopotin, Apoloninë, Luftëtarin dhe Flamurtarin e Prishtinës por duket se tek Vllaznia po gjen veten. Me paraqitje të tilla nuk përjashtohet mundësia që Zeqaj të jetë pjesë e ekipit edhe sezonin e ardhshëm të Vllaznisë në Superligë.
© shkodrasport.com