Pas përfundimit të kontratës me Vllazninë, mesfushori- sulmues Esat Mala është duke negociuar me disa skuadra të tjera, para se të vendosë se me cilën prej tyre do ta vazhdojë karrierën. Pas 4 viteve të kaluara në Shkodër dhe 2 të tjera me Partizani, 27 vjeçari pritet që të vazhdojë të luajë sërish në Superiore.
Ai mësohet se fillimisht ka biseduar me drejtuesit e Egnatias, por duket se palët nuk kanë rënë dakord nga ana financiare. Ata e kishin lënë për të biseduar sërish, por në skenë këtë herë ka dalë ekipi i Teutës që ka hyrë në negociata me lojtarin.
Megjithatë kur dukej se firma ishte çështje orësh, kjo nuk ka ndodhur deri më tani sepse palët nuk kanë arritur akordin. Bëhet e ditur se kërkesat financiare të mesfushorit nga Prizreni kanë frenuar durrsakët, të cilët i kanë vlerësuar si të ekzagjeruara këto pretendime të tij.
Palët vazhdojnë të negociojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi në parim, të gjitha anët e përfshira janë në gatishmëri për të nisur në bashkëpunim. Për Malën prioritet mbetet Teuta por rivalët e tjerë në Superiore po ndjekin situatën me vëmendje, duke shpresuar që të përfitojnë nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët sa u përket termave financiare.


