Nga Endri ÇINARI

Vllaznia rikthehet në kampionat ditën e shtunë, kjo pas pushimit që kampionati kishte pas angazhimit të ekipit kombëtar. Faza e parë e këtij kampionati do mbyllet në Korçë. Kjo përballë vendasve të Skënderbeut, të cilët kanë gëzuar një formë të qëndrueshme dhe të mirë këtë sezon.

E kundërta mund të cilësohet ndoshta tek Vllaznia, ku shkodranët kanë pasur plot probleme. Dhe me rezultatet plot ulje dhe ngritje, në Korçë të gjithë presin një reagim të ekipit të Memellit. Shumë nga futbollistët e ekipit shkodran kanë shfaqur oshilacione, duke ndikuar edhe në performancën e përgjithshme të skuadrës.

Varësia nga Bekim Balaj ka qenë shumë e madhe, pasi nga 9 golat e shënuar deri më tani, 6 prej tyre mbajnë firmën e shtatlartit. Një “krizë” kanë pasur lojtarët e krahut të cilët nuk po japin atë çfarë pritet shumë nga ata. Esat Mala, pavarësisht se është një nga të dalluarit e ekipit, ende nuk ka shënuar asnjë gol në këtë sezon.

Po ashtu i njëjti diskutim vlen edhe për Gruden, Çoben apo Dodev. Pavarësisht se për këtë të fundit minutat nuk kanë qenë aq të shumta. Prandaj pritet zhbllokimi i krahëve të sulmit. Në mënyrë që Vllaznia të arrijë më lehtë tek rezultatet pozitive që kanë munguar në javët e fundit në kampin kuqeblu.