Nga Gjergj KOLA

Shkodra në vite ka patur shumë figura të njohura sportive. Dikush më shumë dhe dikush më pak, secili ka dhënë kontributin e tij duke lënë edhe gjurmët e veta. Sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, ish- atleti, ish- volejbollisti por edhe ish- drejtuesi i sportit, Skënder Bushatit (Fusha).

Kjo sepse pikërisht sot ai feston 84 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura.

Skënder Bushati ka lindur në Shkodër më 19 tetor 1939 në një familje të vjetër shkodrane, e cila në fakt i takonte atij krahu që i’u kundërvue komunizmitdhe si nipi i ish-kryeministrit Maliq Bushati, i pushkatuar nga diktatura komuniste në vitin 1946, për një gjysmë shekulli, do ta ndiqte kjo “njollë” në biografi.

Në moshën 14 vjeçare do të fillonte të merrej me sport duke u angazhuar me ekipin e atletikës nën drejtimin e trajnerëve të mirënjohur Ibrahim e Feti Dizdari. Do të vazhdonte këtë sport deri sa mbush 16 vjeç sepse më pas e dërgojnë në Tropojë ku fillon karrierën e mësuesisë në fshatin Kërnajë. Një transferim që do ta ndante nga sporti i dashur i atletikëas me të cilin ëndërronte se do të ishte një personazh me vlera, për “Vllazninë” e Shkodrës. Për të mos humbur freskinë fizike, ne veriun e Tropojës, iu qep grykave e majave të malit te Jezercës, ku nuk i mungon guximi për t’u ngjitur në kuotën 2.300 metra.

Qëndron 4 vite në Tropojë dhe më pas e transferojnë në Lushnjë, duke patur me vete mbiemrin “Fusha” dhe jo “Bushati”, pikërisht për shkak të biografisë së tij. Letrat anonime në fakt nuk mungonin asnjëherë sepse e shikonin si të pa motivuar, qenien e tij në frontin e edukimit të rinisë, pra si mësues. Por qëndrimi i tij me një formim të parakohshëm si intelektual, me një dashamirësi shembullore, për banorët e Krutjes dhe fëmijëve të tyre, që i besuan pa hezitim edukimin e tyre.

Ngre ekipin e volejbollit, aktivizohet edhe si trajner e shuter kryesor në ekip, ku Krutja, do të bëhej e njohur, jo vetëm në Lushnje, por edhe në shkallë kombëtare. Ekipi i Krutjes, në Spartakiadat Kombëtare të Kooperativave Bujqësore, do të nderohej me vende nderi në podiumin e fituesit. Dhe nuk vonoj që, jehona e sukseseve të këtij ekipi, të kalonte kufijtë e Lushnjes, kur Krutja me në krye Skënderin, do të fitonte edhe ndaj ekipit të ‘Apolonisë’ së Fierit.

Pa asnjë mëdyshje, drejtuesit e Klubit Sportiv “Traktori”, do t’i bënin vend në ekipin e qytetit, ku nga viti 1960, për 13 vite radhazi, do jetë pjesëtar i saj, si gjithnjë ne rolin e shuterit potent. Nuk mungoj që, “Traktori”, të ishte protagonist dhe fitues si kampion në kategorinë e dytë, por dhe të ndjejë gëzimin, duke luajtur në kategorinë e parë, të kampionatit kombëtar të volejbollit, përballë “Dinamos”, “Partizanit”, “Vllaznisë”, etj.

Një tjetër afirmim si sportist klasi, Skënderi e demonstrojë në sportin atletikës, ku përsëri në Lushnje, në shtytjen e gjyles dhe kërcim trehapësh. Rezultati në shtytjen e gjyles, në kufirin e 13 m., do të sillte një kthesë të pa pritur, në jetën e tij dhe aq më shumë, në drejtim të sportit. Dhe si rrjedhojë, për gjithë këtë kontribut, pas 20 viteve i pat akorduar titullin “Mjeshtër Sporti”.

Në moshën 27 vjeçare (Mosha për të kryer shërbimin ushtarak kishte prekur kufijtë maksimal pra atë të zyrtarizuar me ligj) dhe për këtë arsye, emri i tij përmendet tek klubi “Partizani” ku trajnerë e specialistë të tij ishin njohur me rezultatet e tij, në atletikë ku sidomos ai i 13 metrave në hedhjen e gjyles ishte shumë i mirë dhe kjo bëri që pavarësisht “njollës në biografi” të bëhej pjesë e këtij klubi ku në fakt nuk qëndroi më shumë se një vit pasi ngjarjet politike, në të cilat u përfshi Shqipëria në vitet 1966-‘67, ashpërsimi në maksimum i luftës së klasave, forcimi i diktaturës komuniste, detyruan largimin e shumë sportistëve me “njolla në biografi”, dhe në mes të listës së te larguarve, ishte edhe emri i Skënderit.

Një episod që Skënderi e ka të fiksuar në kujtesën e tij gjatë qëndrimit tek “Partizani” dhe që do ta bëjë të njohur në intervistat që ka dhënë në vite, është pjesëmarrja e tij në kampionatin kombëtare të atletikës në Shkodër, ku trajnerët e federojnë në garën më të vështirë, atë të 10 garëshit. Ndonëse nuk kishte specializim e stërvitje për këtë garë, Skënderi i sfidon kundërshtarët, duke realizuar vetëm 9 gara.

Garën e dhjetë, atë të kërcimit me shkop, nuk mund ta realizojë, pasi nuk e kishte provuar një gjë të tillë, asnjëherë në stërvitje. Megjithëkëtë, arrin të klasifikohet i katërti. Përveç garës së shtytjes së gjyles, që ishte profili i tij edhe tetë disiplinat e tjera, të 10 garëshit, i provon përherë të parë. Në kërcimin së gjati, fikson shifrat 6.42 m., kur rekordi kombëtar i bashkëqytetarit të tij, mjeshtrit të mirënjohur, Hysni Bebeziqi, ishte 6.99. m. Në këtë kampionat kombëtar, Skënderi tërhoqi jo vetëm vëmendjen e trajnerëve shqiptar, por edhe të trajnerit ekipit kinez, që kishin ardhur në një takim miqësor në vendin tonë. Përgatitja e lartë fizike, ishte kurorëzimi me sukses i kësaj gare, çka e angazhoi edhe trajnerin kinez, të kronometronte garën e 400 metrave.

Pas një viti në Tiranë, rikthehet sërish në Lushnjë dhe afrohet pa mëdyshje, si lojtar kryesor në ekipin e volejbollit, ku roli i shuterit, me gjithë vitet që mbante në shpine, nuk e zbeh aq lehtë, forcën e tij fizike e teknike. Aktivizohet si lojtar kryesor, deri në moshën 33 vjeçare dhe largimi i tij, është përshëndetur e vlerësuar nga lushnjarët, nga drejtuesit e sportit dhe të pushtetit lokal.

Pas lënies së sportit, Skënderi tregon vlerat e tij edhe në një drejtim tjetër tek angazhohet si trajner i ekipit të femrave, ku në fshatin Krutje, organizon ekipin e femrave, që do të përfaqësojnë Lushnjen me shumë sukses, në Spartakiadën Kombëtare të Kooperativave Bujqësore.

Në vitin 1976 do të rikthehej më në fund në Shkodër teksa punoi në Fermën e Bushatit, duke i bërë një favor, pasi përsëri, merr përsipër organizimin e aktiviteteve sportive. Aty gjenë dhe një tjetër basketbollist, që kish bë emër si “Mjeshtër i Merituar Sporti”, jo vetëm te “Vllaznia”, ish – “17 Nëntori” i Tiranes, por edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, Filip Guraziun, edhe ai jo vetëm i larguar nga arsimi, por edhe nga sporti. Edhe këtu në Bushat, ai do të linte gjurmë dhe të mos harrohej nga amatorët e sportit të kësaj zone, kur në Spartakiadën Kombëtare, të Ndërmarrjeve Bujqësore, zë vendin e parë në volejboll, ku gjithnjë ai, luan me pasion, edhe si shuter edhe si trajner.

Ndërkohë pas viteve ’90 kur gjërat në Shqipëri ndryshuan dhe në vendin tonë erdhi demokracia, në Shkodër kryetar i Bashkisë u zgjodh ish- basketbollisti Filip Guraziu dhe ai e emëroi Skënder Bushatin në postin e Presidentit Olimpik për rajonin e Shkodrës. Si rrjedhojë ai kontribuoi në riorganizimin e sportit, përveç Klubit “Vllaznia”, zyra e sportit pranë Bashkisë, do të kishte një rol të madh në zhvillimin mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive, duke mos harruar rivlerësimin e figurave sportive shkodrane, që ishin lënë nën pluhurin e harresës, nga sistemi diktatorial, që kishin dhënë një kontribut te çmuar, që nga themelimi i Shoqërisë Sportive “Vllaznia”, e para shoqëri në vendin tonë (shkurt 1919), në kampionatet kombëtare, në vitet e Monarkisë së Zogut e, ne vitet e pas mbarimit të Luftës, disa nga këta sportistë të burgosur, të pushkatuar, të internuar dhe jo pak prej tyre, të arratisur jashtë vendit.

Por vetë Skënderi, do të vazhdonte të ishte një sportist në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, me veteranët e atletikës. Në kampionatin Ballkanik të veteranëve, në Sofje, në vitin 1994, për moshat 50-55 vjeç, zuri vendin e parë, në shtytjen e gjyles, po këtë sukses, e arrin edhe në Kampionatin Botëror të atletikës, në vitin 1995, në SHBA-ës.

Skënder Bushati e mbajti këtë detyrë derisa doli në pension duke lënë një emër shumë mirë në sportin shkodran për korrektesën, profesionalizmin dhe kulturën e tij drejtuese.