Kombëtarja shqiptare u largua me një humbje 2-1 nga Varshava. Polakët fituan gjysmëfinalen e “play off”-it, duke ndërprerë ëndrrën kuqezi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. Vasil Ruci ka mbetur i zhgënyer me trajnerin Silvinjo. Ish-lojtari i njohur i Flamurtarit ka dhënë një intervistë për “Euronews Albania”, ku ka shprehur kritikat e tij për trajnerin brazilian. Sipas Rucit, nëse Broja ose Muçi do të luanin nga minuta e parë në sulm, atëherë sot Shqipëria do të ishte e kualifikuar.
“Ky ishte më shumë formacion kontrate se sa formacion suksesi. Pra nëse do të humbas, do të justifikohem me humbjen. Një trajner me guxim duhet të mendonte që kjo ndeshje nuk fitohet vetëm duke u mbrojtur. Ndeshja fitohet gjithmonë me sulmues cilësorë që dinë të shënojnë para portës. Nëse në atë pozicion do të kishim një lojtar tjetër, Brojën ose Muçin, ne sot do të ishim të kualifikuar”, është shprehur Vasil Ruci./Sport Ekspres/


