Emiljano Vila paralajmëron kthesën në Shkodër. Mesfushori e ka hedhur pas krahëve humbjen me Bylisin dhe kërkon nga ekipi që të përqendrohet tërësisht te Kupa e Shqipërisë. Teuta e do këtë trofe, pasi e sheh si një mundësi të mirë për të kapur zonën “Euro”. Për këtë motiv, mesfushori thekson se skuadra do të jetë më shumë se e kujdesshme në fushë.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se durrsakët nuk do ta prishin traditën e rezultateve pozitive në “Loro Boriçi”.

Teuta u largua me humbje nga Ballshi, çfarë nuk shkoi si duhet të dielën?

E kishim parashikuar se në Ballsh na priste një ndeshje shumë e vështirë. Në pjesën e dytë ata ishin të çorientuar mbrapa, por mungesa e bashkëpunimit të sulmuesve bëri që të mos e mbyllin takimin në favorin tonë. Bylisi na ndëshkoi në aksionin e fundit, kur me pak fat mund të dilnim me një pikë nga ajo transfertë. E megjithatë, nuk ka vend për dramë. Kampionati ka ende shumë javë për të dhënë verdiktin final.

Sot luhet Kupa e Shqipërisë. A keni pasur kohën e nevojshme për të përgatitur Vllazninë?

Teuta shkon në këtë takim për fitore, si gjithnjë. Është një ndeshje e rëndësishme, që vlen shumë. Ka marrë rëndësi të veçantë për vetë pozitat e dy skuadrave në klasifikim. E megjithatë, këtë 90-minutësh nuk mund ta quaj përcaktues. Kupa është e atillë që luhet me dy akte. Ne po bëjmë ç’është e mundur që të mos prishim traditën e rezultateve pozitive kundër Vllaznisë. Dhe dihet që historikisht, na ka ecur mirë në Shkodër.

A do ishte barazimi një rezultat i pranueshëm?

Në futboll të gjitha rezultatet janë të pranueshme. Ne duhet të respektojmë kundërshtarin, që është një emër i madh, por në anën tjetër e dimë se po kalon një situatë jo të mirë. Nuk është rastësisht dhe pa arsye në atë gjendje. Kanë treguar vlera sidoqoftë, sikundër e kemi bërë dhe ne.

E megjithatë, duhet të fokusohemi vetëm te kjo ndeshje. Ka edhe ekipe te tjera që duhet t’i shohim me kujdes, pasi edhe kampionati është i gjatë dhe ndodh që pikët të rikuperohen shpejt.

Cilat janë pikat e dobëta të kundërshtarit?

Unë nuk merrem me pikat e dobëta të kundërshtarit. Këtë gjë e di më mirë vetë trajneri i Vllaznisë. Mua më intereson Teuta dhe mënyra se si ekipi im është përgatitur.

Rikthehet Aleksi, por mungon Çyrbja…

Aleksi ka dalë në stërvitje me grupin dhe aktivizimi i tij është i mundur. Kjo pasi ai është gati qoftë për vete, qoftë për skuadrën. E sigurt është mungesa e Çyrbjes që po riaftësohet. Por trajneri ka pasur kohë që të vendosë zëvendësuesin e tij. Në dispozicion kemi një grup të impenjuar në maksimum për të marrë fitoren.

A do të jetë kjo ndeshje një pikë kthesë për ju?

Luhet vetëm ndeshja e parë dhe pavarësisht rezultatit, mbeten edhe 90 minuta të tjera në lojë për të vulosur kualifikimin. E megjithatë, duhet të kemi parasysh që golat e bëjnë diferencën në një kompeticion të tillë.

Çdo përballje do përqendrim dhe ambicie në fushë dhe këtë do të bëjë ekipi ynë nesër (sot). Më pas, saktësia e skuadrës varet nga dyluftimet me kundërshtarin në fushë. Rezultati është tjetër gjë dhe do të varet nga këto që thashë më lart.