Real Madrid është pranë fitimit të La Ligas këtë sezon, por duket se rruga nuk do jetë aq e lehtë, kjo për shkak të dëmtimit të një prej yjeve të skuadrës. Eden Hazard vazhdon me problemet e tij fizike. Ai nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit me Realin, por duket se ka ende dhimbje në kyçin e këmbës. Mjekët e kanë udhëzuar të bëjë një test, duke u stërvitur normalisht me shokët e ekipit.

Sipas “El Larguero”, stërvitja nuk është përfunduar e gjitha nga sulmuesi sepse ka ndjerë dhimbje dhe nuk ka qenë në gjendje të vazhdojë seancën stërvitore të drejtuar nga Zidan. Kështu, ai do vazhdojë etapat e rikuperimit dhe mësohet se do mungojë të paktën ndeshjen e ardhshme ndaj Alavesh pas dy ditësh.

Më pas Reali luan ndaj Granadas më datë 13 dhe pritet që belgu të marrë minuta për të arritur formën e tij fizike optimale. Një sezon i mallkuar ky për 29-vjeçarin, që e ka kaluar pjesën dërrmuese të sezonit në infermieri, pa patur mundësi të jetë i rëndësishëm për skuadrën e tij.

Ai është aktivizuar në vetëm 14 ndeshje këtë sezon, duke mundur të shënojë një gol dhe të dhurojë tre asiste për shokët e tij. /vipsport/