Humbja e fundit me Tërbunin në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, natyrisht që e ka zbehur paksa atmosferën në kampin koplikas. Presidenti Ramadan Likaj është larguar i zhgënjer pasditen e së dielës nga stadiumi duke menduar se investimi i bërë nuk ia ka vlejtur. Sigurisht që mund të ketë patur të drejtë nisur nga paraqitja shumë e dobët që skuadra bëri në atë përballje me pukjanët.

Vërtetë këta të fundit mund të kenë një përbërje më të mirë por dëshira dhe egoja për të fituar duhej të ishte më e madhe në rradhët e futbollistëve të Veleçikut por kjo gjë nuk u vërejt. Paksa e habitshme sepse me të luajnë shumë futbollistë shkodranë të cilët kanë qenë pjesë e Vllaznisë ose janë ende pjesë e saj dhe në Koplik po luajnë si të huazuar. Megjithatë paraqitje të tilla të këtyre futbollistëve janë vërtetë për t’u analizuar. Edhe trajneri Besnik Duli është i pakënaqur me këtë çfarë po tregojnë futbollistët në fushë. Ai vërtetë u mor edhe me gjyqtarin në takimin me Tërbunin, por kuptohet që është ndalur edhe tek gabimet e shumta që skuadra bëri në mbrojtje e mesfushë ndërsa sulmi ishte inekzistent. Humbja e fundit është analizuar gjatë dje në kampin koplikas për të nxjerrë gabimet e konstatuara. Ajo çfarë duhet bërë është ndryshimi i kësaj situate. Por kjo nuk do të jetë e lehtë. Këtë javë Veleçiku do të udhëtojë drejt Krujës për t’u ndeshur me Kastriotin vendas. Ky i fundit me ndryshimet në krye të klubit por edhe në pankinë, e ka ndryshuar situatën dhe kjo u pa edhe në fitoren e arritur ndaj Adës javën që shkoi. Natyrisht që është edhe një paralajmërim për koplikasit për këtë sfidë të kësaj jave. Veleçiku gjithsesi i ka forcat dhe mundësitë për të luajtur si i barabartë përballë çdo kundërshtari. Çështje tjetër pastaj është nëse futbollistët duan të tregohen të tillë në fushë apo jo.
© shkodrasport.com