Java e tretë e kampionatit kombëtar të kategorisë së dytë, ka dhuruar një tjetër fitore për Veleçikun. Në ndeshjen e luajtur në Koplik ndaj ekipit Luzi 2008, ata kanë fituar me rezultatin 3-2. Koplikasit vinin pas një humbje të thellë javën e kaluar me ekipin e Sukthit në shifrat 4-0 dhe për rrjedhojë djemtë e teknikut Besnik Duli kanë kërkuar medoemos fitoren në këtë ndeshje të rradhës. Që në minutat e para të takimit, vërehet qartë epërsia e vendasve derisa në minutën e 12-të do vinte goli I parë për Veleçikun, shënuar nga Osmani. Megjithatë miqtë nga Luzi reagojnë dhe në minutën e 20-të arrijnë të barazojnë me anë të Çullhajt. Pas këtij barazimi, koplikasit shtojnë presionin e tyre sepse nuk pajtohen me rezultatin dhe në fund të pjesës së parë fitojnë një 11-metërsh që kthehet në gol nga portieri Dorzaj. Pjesa e parë e ndeshjes mbyllet 2-1 për Veleçikun. Edhe në pjesën e dytë koplikasit e nisin në sulm duke tentuar golin e tretë dhe të qetësisë dhe ia arrijnë ta shënojnë me anë të Osmanit në minutën e 68-të. Por edhe miqtë duan një tjetër gol dhe ia arrijnë ta shënojnë në minutën e 89-të me anë të një 11-metërshi të dhënë në favor të tyre. Përfundimisht 3-2 në favor të Veleçikut që arrin fitoren e dytë në tre javë kampionat.
Bashkim Ramekaj