Një tjetër provë e vështirë kalon për Veleçikun dhe ai tashmë është gjithnjë e më pranë realizimit të  objektivit të tij për të kaluar në kategorinë e parë. Në ndeshjen e djeshme, në transfertë me Vorën, është vërtetuar më së miri karakteri luftarak i futbollistëve koplikas që në fund të 90 minutave kanë fituar me rezultatin 3-1. Në një takim tejet luftarak, miqtë e Veleçikut kanë ditur që t’u rrëmbejnë fitoren vorakëve në një sfidë mes vendit të parë dhe të tretë në klasifikim. Megjithëse Vora kishte mundësi për t’iu afruar vendit të parë, nuk e shfrytëzoi siç duhet këtë moment. Në minutën e 54- te Raiçeviç ka ndëshkuar vendësit, duke kaluar Veleçikun në avantazh. Gjithsesi, dy minuta më pas miqtë mbeten me dhjetë lojtarë në fushën e lojës pas ndëshkimit me karton të kuq të Çokajt për ndërhyrje të rëndë. U duk se përmbysja do të vinte shpejt. Fillimisht është Ceka që barazon rezultatin në 1-1 pas goditjes së saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Vendësit hidhen në sulm në kërkim të golit të fitores, por pa rezultat. Në të 82-ën minutë është autori i golit të barazimit që ndëshkohet me karton të kuq dhe forcat në fushë barazohen. Kur pritej që vendësit të shënonin golin e avantazhit duke sulmuar me shumë forca, janë miqtë që realizojnë në minutën e 85-të me anë të Osmanit, i cili bën të heshtin 3000 tifozët e pranishëm. Në shtesë është sërish Osmani, që realizon edhe golin e tretë për miqtë. Me këtë fitore, Veleçiku e ka ruajtur distancën prej katër pikësh me skuadrën e vendit të dytë- Olimpikun
VORA-VELEÇIKU 1-3
GOLAT: Ceka 70′(p)/ Raiçeviç 54′, Osmani 85′, 92′
VORA: Çani, Shkalla, Allmeta, Bardhi, Braho, Bleta (Gurra 52′, (Dahriu 60′), Milla, Cani, Stiven (Stefa 57′), Ceka, Xhuti. Trajner: E.Topi
VELEÇIKU: Dorzaj, Cukaj, Kuka, Lami, Miculi, Raiçeviç (Demiri 82′), Çokaj, Rushta (Banushi 75′), Fishta, Osmani, Cakaj. Trajner: B.Duli
KARTONË TË VERDHË: Cani, Bardhi/ Lukaj, Fishta, Cakaj, Miculi
KARTONË TË KUQ: Ceka 82′/ Çokaj 56′
GJYQTARË: H.Llapra, R.Malaj, E.Rrapi (Vlorë)

www.shkodrasport.com