Kërkesa e stafit të Veleçikut për të përforcuar skuadrën me lojtarë të tjerë për gjysmën e dytë të sezonit, ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit të cilët kanë nisur menjëherë kontaktet me futbollistë të ndryshëm. Akordi i parë mund të jetë ai me Valdano Nimani, por përveç këtij lojtari, mendohet që me koplikasit të bashkohen edhe lojtarë të tjerë.

Njëri nga futbollistët e piketuar është një nga lojtarët aktualë të Vllaznisë por që nuk po gjen hapësirat e duhura të aktivizimit me të dhe prandaj, me shumë të ngjarë do të kalojë tek Veleçiku në janar. Përveç tij pritet edhe një tjetër lojtar nga Kosova dhe po ashtu, diçka shumë pozitive është rikuperimi pas një periudhë të gjatë mungese për shkak dëmtimi i sulmuesit Ujkaj.

Këto janë për momentin objektivat e merkatos së kësaj skuadre por në vijim mund të ketë edhe të tjera surpriza. Veleçiku e ka mbyllur vitin 2018 në vendin e gjashtë të renditjes dhe nëse në katër javët e ardhshme siguron pesëshen e parë do të thotë se objektivi është arritur.

Kjo do të jetë shumë e vështirë sepse edhe kalendari nuk është shumë i favorshëm. Në ndeshjen e parë të vitit të ardhshëm, koplikasit do të luajnë në transfertën e vështirë të Peshkopisë dhe kjo konsiderohet një sfidë shumë delikate. Për këtë arsye, duhet që ekipi gjatë kësaj periudhe të përforcohet me lojtarët e duhur.
© shkodrasport.com