Dita e djeshme do të mbetet gjatë në kujtesën e familjes Lekndreaj. Dy djemtë e kësaj familje, Doda dhe Danieli, në të njëjën ditë por në vende të ndryshme dhe nga institucione të ndryshme, janë nderuar me çmime për kontributin e tyre në basketboll gjatë vitit 2018.

Doda, i madhi i këtyre vëllezërve, në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë Shkodër është shpallur fitues i anketës së “10 sportistëve më të mirë të Vllaznisë për vitin 2018”. Ai ka marrë këtë çmim si më i miri i ekipit të basketbollit të kuqebluve.

Ndërkohë, në Tiranë, në mbrëmjen e fundvitit të organizuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit, Danieli, vëllai më i vogël, është nderuar nga kjo Federatë me “Mirënjohje” si lojtari i spikatur gjatë vitit 2018 në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai aktualisht është pjesë e Partizanit megjithatë në këtë vlerësim sigurisht që ka pjesën e vet edhe Vllaznia, skuadër me të cilën ka luajtur deri në muajin shtator.

Gjithsesi, dy çmime të marra në një ditë padyshim që kanë sjellë emocione të mëdha në familjen Lekndreaj. Kështu është bukur në fakt. Sakrificat e shumë viteve të prindërve të Dodës dhe Danielit për t’i bërë ata sportistë, po shpërblehen më në fund.
© shkodrasport.com