Ndeshjet e kupës së raundit të 1/16 të kupës panë përballë një duel prestigji për Veleçikun. Ku koplikasit pa pretendime në një kompeticion të tillë, u mundën nga Tirana me shifrat 0-3. Një rezultat që patjetër pritej dhe që ndoshta shërben si një shtysë për futbollistët koplikas në vijimin e sezonit.

Por ajo që ra në sy ishte edhe arbitri kryesor i ndeshjes. Ky duel iu besua si kryesor shkodranit, Ditmir Grimci, së bashku me asistentët Çoba dhe Bega. 33-vjeçari zhvilloi një arbitrimi të një niveli shumë të mirë, pavarësisht se ndoshta punën më të lehtë ia bënë edhe dy skuadrat që ishin goxha korrekte në fushën e lojës.

Pavarësisht se nga kryesori i takimit u ndëshkuan me të verdhë Rrustemaj dhe Kaçaj në krahun e Veleçikut. Grimci, pavarësisht moshës së tij të re, ka një eksperiencë prej më shumë se 10-11 vitesh në arbitrim. Ai ka qenë pjesë e futbollit të moshave, por edhe në Kategorinë e Parë. E tashmë edhe në kupë.

Ai konsiderohet si një nga elementët më të mirë të kolegjiumit të Shkodrës. Dhe shumë shpejt ndoshta mund ta shohim edhe në Superligë. Ku në vitet e fundit emra si: Jubica, Myrtja, Podgorica apo edhe Bega kanë qenë ata që kanë përfaqësuar qytetin tonë në nivelin më të lartë të futbollit në vend.
Endri ÇINARI