Vllaznia do të përballet ditën e nesërme ndaj Teutës, në supersfidën e vlefshme për javën e gjashtë të Abissnet Superiore, që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Mbrojtësi i majtë i skuadrës durrsake, Blerim Kotobelli, është optimist dhe beson se skuadra ku ai aktivizohet, mund të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë delikate.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kotobelli u shpreh se shpresojnë shumë që pas pauzës së Kombëtares ta nisin me fitore, ndërsa theksoi se Vllaznia është një kundërshtar shumë i fortë.

“Jemi gati për Vllazninë. Çdo gjë po shkon mirë. Të gjithë futbollistët po stërviten maksimalisht dhe dëshira është e madhe për ta nisur me fitore pas pauzës.

Vllaznia është një kundërshtar i fortë që po bën mjaft mirë në ndeshjet e fundit dhe është konsoliduar ndjeshëm me lojën dhe rezultatet. E vlerësoj historinë që ka klubi i Vllaznisë, për atë që ka dhënë këtë sezon, por ne jemi gati për të marrë 3 pikë në këtë sfidë.

Dua t’i bëj thirrje edhe tifozërisë që për këtë ndeshje ndaj Vllaznisë të mbushë shkallët e stadiumit “Niko Dovana”, pasi me përkrahjen e tyre, ne jemi më të karikuar për të arritur fitoren”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i majtë i Teutës, Blerim Kotobelli.
Maringlen ZHIVANI