Përveçse rezultatit historik si skuadra e parë shqiptare që futet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, Vllaznia do t’i gëzohet gjithashtu edhe një tjetër aspekti, atij financiar. Me kualifikimin e arritur ndaj ukrainaseve të Vorsklës, klubi shkodran do të përfitojë një shumë të majme financiare nga UEFA.

Kështu, deri më tani Vllaznia ka siguruar plot 580 mijë euro fitime nga pjesëmarrja e saj në Champions. Në raundin e parë Vllaznia mori 65 mijë euro për pjesëmarrjen dhe 15 mijë për kualifikimin, pra 80 mijë euro.

Ndërkohë, për suksesin në “play off” kundër Vorsklës përfitoi edhe 100 mijë euro të tjera. Kësaj shume do t’i shtohen edhe 400 mijë euro që merr çdo skuadër, e cila arrin të bëhet pjesë e grupeve.

Por nuk mbaron me kaq, pasi në ndeshjet e grupeve të Champions-it, për çdo fitore të mundshme ekipi do të arkëtojë nga 50 mijë euro bonus, ndërsa për çdo barazim merr nga 17 mijë euro. Në tabelë pasqyrohen të gjitha shpërblimet financiare nga UEFA për Champions-in e femrave.

Vlen për t’u theksuar se klubi i futbollit Vllaznia për meshkuj, arkëtoi 450 mijë euro nga pjesëmarrja në Ligën e Konferencës, ndërsa tashmë femrat kuqeblu bëjnë parakalim historik, duke përfituar të ardhura më shumë se ekipi i djemve.