Humbja në Kupë ka rikthyer në njëfarë mënyre presionin tek ekipi i Vllaznisë. Në fakt, përballë patën një kundërshtar si Flamurtari, me të dy ekipet që nuk janë në forca të njëjta mes tyre, por në Vlorë ndodhi befasia e madhe.

Testi i vërtetë është ai ndaj Teutës ditën e nesërme, teksa edhe ata janë në një krizë rezultatesh. Trajneri Josa shpreson të largojë nga kolapsi skuadrën dhe po merret me detajet e fundit për të rregulluar gjërat që nuk kanë shkuar deri më tani.

Ndërkohë, “Shkodra Sport” i ka bërë një skaner golave të shënuar dhe të pësuar nga Vllaznia në këto pesë javë kampionat dhe bie në sy që kuqeblutë nuk janë efikasë për të shkuar te rruga e rrjetës dhe nga ana tjetër, pësojnë gola nga pozicione të ndryshme.

Pesë gola në pesë javë janë shumë pak për një skuadër që pretendon të shkojë te trofetë. Jo më kot, shkodranët kanë treguar oshilacione, sepse kanë një mesatare golash të shënuar për ekip mbijetese. Këto janë të dhëna që tregojnë në njëfarë mënyre edhe dobësitë e skuadrës në gjetjen e rrjetës, të cilat me siguri trajneri Josa dhe stafi e kanë të qartë dhe do të përpiqen të sajojnë diçka për të shkuar te goli në çdo mënyrë.

Një panoramë krejt tjetër paraqitet te golat e pësuar, me shkodranët që nxjerrin topin nga rrjeta pothuajse në të gjitha format e mundshme. Kështu, nga gjashtë golat e pësuar, pesë prej tyre kanë ardhur brenda zonës dhe një nga jashtë saj.

Sa i përket mënyrës së pësimit të tyre, pesë prej golave kanë ardhur nga aksione të ekipeve kundërshtare si Kukësi, Tirana dhe Egnatia dhe njëri prej tyre, është shënuar si rrjedhojë e goditjes së ndaluar, ku gjithçka nisi nga faulli që Calbergue i Erzenit shndërroi në gol.

Me golat e pësuar, Vllaznia është mbrojtja e tretë më e dobët e kampionatit, ku i paraprin Teuta dhe Kukësi, që kanë pësuar përkatësisht dy dhe një më shumë. Në vazhdim, mbetet për t’u parë se sa do të rregullohet bilanci edhe në prapavijë, ku sigurisht trajneri Mirel Josa ka akoma punë për të bërë.

Po ashtu, mbetet për t’u parë edhe nëse ditën e nesërme në ndeshjen me Teutën, sulmuesit do të jenë efikasë apo sërish shkodranët do të shfaqin probleme për të shkuar te goli. Të presim dhe të shohim…
Maringlen ZHIVANI