Ditën e djeshme, është zhvilluar ndeshja e prapambetur midis Gramshit dhe Veleçikut. Kështu, kjo sfidë u mbyll me një fitore të artë 1-3 të koplikasve.
Një trepikësh i rëndësishëm në transfertë për ekipin e Veleçikut në prag të ndeshjes me Orikun javën e ardhshme. Në fushën sportive të qytetit të Gramshit, ekipi vendas, i katërti në renditje, ka pritur Veleçikun, që ndodhet në vendin e tretë të renditjes. Në fakt, ka qenë një ndeshje, me Veleçikun, i cili kishte në vetvete synimin për të mos iu ndarë vendit të parë, Orikut.
Nën peshën e emocioneve që mbante në vetvete kjo sfidë, pjesa e parë është mbyllur në barazim me rezultatin 0-0. Ndërkohë në pjesën e dytë, janë miqtë që përfitojnë, duke shënuar të parët në minutën e 51-të, me anë të Arsen Hajdarit.
Pas shënimit të golit, skuadra e Veleçikut e drejtuar nga trajneri Haris Lika, nuk ndalet dhe hidhet sërish e tëra në sulm, duke rregjistruar disa raste shënimi dhe brenda nëntë minutash del në dritë edhe goli i dytë me autor Suad Begën, me një penallti.
Në këtë minutë, Gramshi mbetet me 10 lojtarë, pasi Koçi largohet nga fusha e lojës pas ndëshkimit me karton të kuq. Ky gol zgjon dhe i jep më tepër moral Gramshit, i cili arrin të ngushtojë shifrat në 1-2, me anë të nigerianit Itua në minutën e 62-të.
Pas këtij goli, koplikasit kanë disa mundësi për të shënuar golin e sigurisë, por sulmuesit miq shpërdorojnë raste të pastra.
Ndërkohë, sulmi me forca të dendura bën që futbollisti i Gramshit, Goga, të shkaktojë një penallti dhe të ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin e tij me 9 futbollistë në fushën e lojës. Penalltinë e merr përsipër Suad Bega, që dërgon shifrat në 1-3, duke shënuar kështu golin e qetësisë për Veleçikun.
Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit të ndeshjes fikson rezultatin 1-3 për Veleçikun. Rezultat që gëzon skuadrën koplikase, pasi vazhdon të renditet në vendet e para të grupit A.
Pas kësaj ndeshjeje, Veleçiku renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit me 44 pikë, teksa ndeshjen e rradhës do ta luajë në shtëpi ndaj Orikut të vendit të parë, një ndeshje shumë vendimtare për të ardhmen e ekipit koplikas.
Maringlen ZHIVANI