Kastrioti do të kërkojë rikthimin te fitorja ndaj Teutës, për të shpresuar te një mrekulli për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Pas 24 javësh kampionat, krutanët e shohin veten në vendin e fundit, por duke qenë se ka edhe 12 javë për t’u luajtur, ata janë të bindur se mund t’ia dalin, ashtu siç kanë bërë edhe në sezonet e kaluara.

Gjatë kësaj jave stërvitore pas humbjes në Rrogozhinë, grupi i lojtarëve ka qenë i plotë nën drejtimin e trajnerit Emiljano Çela.

Mbrojtësi Martin Prenkoçeviç është i vetmi futbollist që do të mungojë kundër Teutës. Me shumë mundësi ai e ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi tri javë më parë ndaj Tiranës.

Pas mungesës ndaj Egnatias, krutanëve u rikthehen të gatshëm dy titullarë si Abaz Karakaçi dhe Redon Mihana, të cilët pritet të jenë sot nga minuta e parë në fushë. Një alternativë më shumë është edhe senegalezi i sulmit, Mustafa Kamara, i cili debutoi me Kastriotin në Rrogozhinë.

STËRVITJA E FUNDIT Dje trajneri Çela i ka dhënë fund përgatitjeve, por ajo që ra në sy në seancën e fundit, ishte motivimi dhe serioziteti i lojtarëve, të cilët janë të vetëdijshëm për pozicionin që kanë aktualisht dhe të angazhuar për të bërë kthesën, duke filluar nga sot.

Stafi teknik dhe drejtuesit ua kanë bërë të qartë futbollistëve se kanë besim absolut te ndryshimi i situatës dhe ata nuk duhet të dorëzohen deri në ndeshjen e fundit për qëndrimin në Superligë, pasi i kanë të gjitha mundësitë. Sot ndaj Teutës pritet të jetë një Kastriot me një rreshtim ofensiv.