Real Madrid ishte në majën e botës kur nisi merkato e verës pasi skuadra e Zidane sapo kishte kaluar sezonin më të mirë në 50 vitet e fundit, duke fituar Champions League dhe La Liga-n. Gjatë merkatos së verës u larguan emra si Morata, Mariano, Pepe dhe James Rodriguez nga Bernabeu me klubin që bleu vetëm lojtarë të rinj e pa eksperiencë. Formacioni i El Clasico-s vërtetoi edhe njëherë se asnjë nga ato blerje nuk ka arritur të hyjë në ekipin e parë.

Dhe të luajë nga minuta e parë pasi askush nuk ka fituar besimin e trajnerit francez.

As Ceballos, Llorente, Mayoral apo Vallejo nuk janë përfshirë në listën e lojtarëve ndaj Barça-s dhe vetëm Theo Hernandez ishte në stol gjatë humbjes 3-0.

Ndeshja e radhës e Los Blancos do të jetë në 1/16 e Copa del Rey ndaj CN Numancia dhe kjo sfidë do të jetë e duhura për të aktivizuar skuadrën e dytë dhe për parë se cili prej blerjeve të reja ka bërë më tepër progres.

Por dyshimet për merkaton e zhvilluar janë të mëdha pasi asnjë prej pesë rekrutëve nuk ka luajtur më tepër se 630 minuta deri tani këtë sezon.

Me dyshime për një largim të mundshëm në merkaton e janarit, portieri Kepa i Athletic Bilbao është përfolur për një transferim në kryeqytetin spanjoll.

Një gjë është e sigurt, 45-vjeçari Zidane do të ketë shumë detyra shtëpie në gjashtë muajt e ardhshëm./telesport/