Patjetër që Shkodra dhe Vllaznia spikat me nxjerrjen e lojtarëve me perspektivë në çdo disiplinë e sidomos në futboll. Të panumërt kanë qenë emrat që kanë bërë historinë në futbollin tonë nga qyteti i Shkodrës. Një lojtar interesant që ka dalë së fundmi në skenë është.

Quhet Vedat Kastrati dhe për shumë kënd mund të jetë një emër i padëgjuar. I datëlindjes 04.04.2004, pra ende vetëm 17-vjeç, djaloshi është shndërruar së fundmi në protagonist tek Vllaznia u-21.

Në një moshë kaq të vogël, ai ka mundur të debutojë dhe të marrë minutat e tij në një skuadër që është e mbushur me elementë të talentuar. Duket se trajneri anglez, Sibson është i bindur nga cilësitë e djaloshit.

Kastrati luan si një mesfushor me tipare sulmuese, ku zakonisht aktivizohet si një numër 10-tsh tipik. Por gjithashtu edhe në krahët e sulmit, ku dallon për teknikën dhe pasimet e tij shumë të sakta. 17-vjeçari është një lojtar që mund të premtojë shumë për të ardhmen për futbollin shkodran dhe për Vllazninë.

Pavarësisht se ai është ende në hapat e tij të parë të karrierës dhe rruga është e gjatë për të arritur tek suksesi, shpresat janë të mëdha për këtë djalosh. Nuk i dihet kurrë, pasi në të ardhmen emri i tij mund të përmendet si një futbollist i Vllaznisë apo edhe i kombëtares shqiptare.
Endri ÇINARI