Pasditen e djeshme, Veleçiku ka mundur Klosin me rezultatin 0-2 në ndeshjen e zhvilluar në “Liri Ballabani”. Sfida në fjalë ishte e rëndësishmë për koplikasit, teksa duhej fitorja me patjetër për të ndjekur kundërshtarët e tyre në renditje.
Rrustemaj në të 24-tën minutë dhe Hajdari në të 82-tën janë autorët e golave të Veleçikut, teksa i dhanë fitoren koplikasve që tashmë ndodhen në vendin e katërt me 23 pikë, 5 pikë larg kreut të renditjes.
Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, autori i golit të parë, Elvis Rrustemaj, e shikon Veleçikun si skuadrën pretendente për ngjitjen në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar.
“Ne e kishim vlerësuar maksimalisht, sepse ishte ndeshja e parë e fazës së dytë dhe nuk na lejohen më hapat fals për objektivin që kemi.
Në ndeshjen me Klosin mund të ishte rezultati shumë më i thellë, por gabuam shumë para porte, shpërdoruam shumë raste. Pika më e fortë e skuadrës tonë është grupi, por ne si ekip krijojmë shumë raste, jo vetëm këtë ndeshje, por të gjitha ndeshjet.
Jo vetëm që do konkurrojmë, por synimi jonë është që të renditemi në vendin e parë, pavarësisht që si ekip i formuar vonë, vetëm një javë para fillimit të kampionatit, prandaj edhe ndeshjet e para kemi lënë pikë që nuk na falen, sepse tani do ishim në vendin e parë”-thotë ai.
Ndër të tjera, Rrustemaj flet edhe për Kategorinë e Dytë në përgjithësi, teksa në fund ka edhe një dedikim të veçantë për golin e shënuar dje nga ana e tij.
“Eshtë sezoni im i parë në Kategorinë e Dytë. Eshtë një kategori me ritëm të ulët, por e ashpër si kategori dhe kjo ka vështirësitë e veta, sepse edhe terrenet sportive janë më të këqija dhe albitrimi ndikon shumë në këto kategori, sepse nuk ka atë vëmendjen e duhur edhe nga FSHF, si kategoritë e tjera më lart.
Golin ia dedikoj babait tim që nuk jeton më dhe që ishte mbështetja ime më e madhe. Kam besimin e plotë që do e arrijmë objektivin tonë, daljen në Kategorinë e Parë”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Veleçikut, Elvis Rrustemaj.
Maringlen ZHIVANI