Me vetëm dy gola në pesë takimet e fundit, problemi në kampin e Vllaznisë mbetet edhe finalizimi, një detaj që është evidentuar në shumë sfida të këtij sezonit, ku disa raste të pashfrytëzuara mund të kishin ndryshuar rrjedhën e ecurisë së ekipit shkodran.

Në verë, klubi afroi për të forcuar repartin e ofensivës Ante Aralica dhe Fahrudin Gjurgjeviç. I pari ka arritur të realizojë tetë gola, ndërsa i dyti, vetëm një gol.

Stafi teknik, me në krye trajnerin Plori pret më shumë nga kjo dyshe, që shpesh ka bërë edhe rrotacion. Nesër në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të kërkojë triumfin e qetësisë, pasi në rast të një tjetër rezultati negativ, gjithçka do të vështirësohej.

Situata në tabelë nuk është e mirë dhe për më tepër që klubi e nisi me të tjerë objektiva dhe tashmë ekipi ka dalë totalisht nga synimet maksimale, që ishte titulli kampion, ndërsa për synimin minimal, pjesëmarrjen në Europë, Vllaznia ka pesë pikë më pak se vendi i tretë, që të çon në Kupat e Europës përmes kampionatit, ndërkohë që është në garë edhe përmes Kupës së Shqipërisë.

Dy ndeshjet e rradhës, fillimisht për javën e 28-të ndaj Laçit dhe më 13 prill për sfidën e kthimit me Partizanin në Kupën e Shqipërisë, janë vendimtare për ecurinë e shkodranëve.

Plori pret një sforco nga sulmuesit, veçanërisht Gjurgjeviç dhe Aralica që kanë luajtur në majë, por pa harruar këtu lojtarët me shumë eksperiencë, që ka në përbërje si Liridon Latifi dhe Victor Da Silva, të cilët ishin titullarë ndaj Kastriotit.
Maringlen ZHIVANI