Edhe këtë vit, Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë në futboll, ka marrë pjesë në turneun tradicional që zhvillohet në Prishtinë në datëlindjen e legjendës, Fadil Vokrri. Ndeshjet janë zhvilluar pikërisht në stadiumin që mban emrin e ish-futbollistit të famshëm dhe ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke mbledhur kështu emra që kanë bërë histori në futbollin mbarëkombëtar.

Sfida e parë e turneut, që organizohej në kujdesin e veçantë të FFK, ka qenë ajo ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe Llapit, skuadra në të cilat luajti gjatë karrierës së tij ish-presidenti i FFK-së dhe më pas ndeshja kryesore, ajo ndërmjet veteranëve të Kombëtares së Kosovës dhe veteranëve të Kombëtares së Shqipërisë, per te cilen ka qene ne fushe edhe shkodrani Gilman Lika.

Përpara fillimit të ndeshjeve, të gjitha ekipet pjesëmarrëse bënë homazhe dhe vendosen buqeta lulesh tek shtatorja e legjendës Vokrri në hyrje të stadiumit, teksa turneu filloi me një minutë heshtje në nderim të tij.

Shqipëria u mund nga Kosova me rezultatin 2-1 në ndeshjen vëllazërore dhe dhuroi plot emocione dhe spektakël. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Mehmetit, teksa më vonë ish-futbollisti i njohur i Prishtinës, Sheremet Isufi, shënoi në minutën e 25-të, duke fikusar shifrat në 2-0.

Në pjesën e dytë, dominimi ishte në anën e veteranëve kuqezinj, të cilët arritën të ngushtojnë disavantazhin, me golin e Mërgim Mavrajt nga penalltia, por deri në fund rezultati nuk ndryshoi.

Kjo ishte sfida e dytë vëllazërore për këtë vit mes veteranëve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, teksa e para u luajt më 17-shkurt në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Maringlen ZHIVANI