Viktor da Silva ishte padyshim afrimi më i rëndësishëm i verës për Partizanin. Braziliani vinte pas dy sezonesh shumë të mira te Vllaznia dhe u bë pjesë e të kuqve pas një historie të gjatë në verë me një mosmarrëveshje mes ish-trajnerit Mehmeti dhe drejtorit Marini, të cilët kishin opinione të ndryshme në lidhje me transferimin e 27-vjeçarit. Por pas largimit të Mehmetit, Da Silva u bashkua me Partizanin, edhe pse ai kishte firmosur më parë në Qipro.

Me të ardhur, ai e zuri shpejt vendin në formacion, por dëmtimet i ka pasur të njëpasnjëshme. Braziliani ka herë pas here probleme fizike dhe i duhet të punojë në një pjesë të madhe të kohës me program të veçuar.

“MISTERI” – Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Kolela nuk dha shumë detaje mbi gjendjen e Da Silvës, teksa më pas ai nuk e aktivizoi në asnjë ndeshje miqësore në Turqi.

Burime për gazetën bëjnë me dije se fantazisti është stërvitur normalisht me grupin në ditët e para të fazës përgatitore në Antalia, por më pas ai ka reklamuar sërish probleme muskulore.

Kjo i ka detyruar mjekët të hartojnë një program individual për rehabilitimin e problemit të brazilianit, çka e ka detyruar edhe trajnerin të mos e llogarisë për testet me Nasaxhi Mazandarën, Sivasporin dhe së fundmi me Umraniesporin.

Gjendja e Da Silvës aktualisht është më e mirë, por shanset më të mëdha janë që ai të mos jetë i gatshëm për të dielën me Erzenin. Matondo është rikuperuar plotësisht dhe është gati.