Arturo Vidal është shumë pranë firmës me klubin e tij të ri. Mesfushori kilian duket se do t’i japë lamtumirën Europës, për t’u zhvendosur në Amerikën e Jugut, më saktësisht në Brazil, ku e pret krahëhapur skuadra e Flamengos.

Brazilianët duan me çdo kusht mesfushorin dhe për këtë arsye, kanë organizuar një takim me përfaqësuesit e futbollistit në Ibiza. Palët atje kanë rënë dakord për kontratën dhe të gjitha detajet financiare sa i përket kësaj lëvizje të futbollistit. Por më parë duhet mbyllur çështja e Interit.

Mesfushori nuk ka ndër mend të largohet duarbosh nga italianët duke prishur me mirëkuptim marrëveshjen që ka me ta. Kësisoj, ai pret që klubi ta paguajë që të largohet para fundit të marrëveshjes ekzistuese. Vetëm pasi Interi ta paguajë dhe të mbyllë marrëveshjen me një futbollist të cilin Inzagi nuk e sheh në planet e tij, atëherë Vidal do të hedhë firmën në kontratë për Flamengon.