Largimi nga kreu, duket se ka lënë me “paranoja” Pogradecin. Samuel Nikaj i kënaqet fitores me Butrintin, por pranon se skuadra gaboi shumë në nisje të lojës dhe kjo ishte pasojë e barazimit të një jave më parë.

Për “Panorama Sport”, trajneri analizoi çfarë nuk shkoi si duhet, por komentoi edhe çështjen e ngjitjen. Dukshëm është dorëzuar në luftën për vendin e parë, këtë të paktën të bën të kuptosh me deklaratën e tij. “Nuk na eci mirë në fillim të lojës. Vinim të dëshpëruar nga ai barazim i javës së kaluar, që ndikoi pak te mentaliteti i lojtarëve.

Në fushë zbritëm pak të nxituar, pak me frikë e pak me siklet. Gjatë javës punuam që të ruanim qetësinë, sepse ne këto javë i shërbejnë vetëm ‘play off’-it. Ka marrë rrugë ajo historia e vendit të parë… Nuk duhet të ndodhte ajo që ndodhi në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë m’u desh të flisja me tone më të larta. Shqiptari kështu të merr vesh.

Ne nuk jemi skuadër që të luajmë vetëm me topa të gjatë dhe luftë për topin e dytë, por duhet të posedojmë gjithmonë topin. Kështu vepruam pas pushimit dhe kjo solli golat. Pati tension në fillim jo vetëm prej golit të Butrintit, që ishte rastësi. Ata luajtën me nervat tona, njësoj si Delvina. Rruga e ngjitjes është më e gjatë tani.

Ishim përgatitur për vend të parë, tani kemi ‘play off’-in. Kjo me sarandjotët ishte si paratest. Pse nuk është rruga e vështirë dhe e gjatë për Elbasanin? Jo, Elbasani e ka marrë rrugën e vet, atë të vendit të parë, dhe është shumë e vështirë për ta zbritur nga ai pozicion”, përfundoi shkodrani.