Për shkak të mos miratimit akoma të ligjit të sponsorizimit, ashtu sikurse pothuajse të gjitha sportet e tjera, edhe basketbolli ka probleme të shumta financiare. Megjithatë, në këtë periudhë, Besëlidhja po dominon basketbollin shqiptar me rezultatet e arritura së fundmi, teksa aty financat nuk duket se janë problem.

Lezhjanët mundën Vllazninë brenda në Shkodër me shifrat e thella 52-93 në favor të tyre, teksa pas ndeshjes për formën aktuale të këtij ekipi, ka dhënë prononcimin e tij edhe Afrim Bilali, trajneri i Besëlidhjes dhe njëkohësisht edhe i ekipit tonë të Kombëtares në basketboll.

Në intervistën e tij, Bilali u shpreh se do mundohet të bëjë më të mirën e tij tek Besëlidhja, ndërsa theksoi se Vllaznia ka akoma një ekip modest. Gjithashtu, ish-basketbollisti i mirënjohur shkodran komentoi edhe afrimet e fundit të tre amerikanëve tek ekipi shkodran, teksa tha se me ardhjen e tyre, Vllaznia padyshim që do të ketë tjetër fytyrë në lojë.

“Kjo është puna jonë, na duhet të jemi sa më profesionistë të mundshëm. Ashtu siç kam bërë më të mirën kur kam qenë te Vllaznia, do bëj më të mirën edhe te Besëlidhja. Në fakt, kuptohet që Vllaznia ka një ekip modest. Me sa dëgjova kanë marrë tre basketbollistë shumë të mirë.

Njëri prej tyre ishte edhe në lojë dhe kuptohet që me ardhjen e tyre, Vllaznia padyshim që do të ketë tjetër fytyrë në lojë, por si trajner i Besëlidhjes mund të them që kam dy javë e gjysmë që kam marrë ekipin përsipër. Po ndërtojmë gjërat hap pas hapi dhe kuptohet që nuk është e lehtë të marrësh ekipin në gjysmë të rrugës. Do mundohem në maksimum që të bëjmë më të mirën, që me këtë ekip që kemi, të arrijmë objektivat që janë nga drejtuesit e Besëlidhjes.

Basketbolli në Shqipëri duhet të ishte në tjetër nivel tashmë. Ne vazhdojmë të vuajmë atë ligjin e sponsorizimit. Sot janë shumë dashamirës të basketbollit faktikisht në qytetin e Lezhës, që kanë menduar të investojnë për ekipin e Besëlidhjes, ashtu siç ishte më parë z. Ponari te Valbona apo Kryetari i Bashkisë tek Kamza.

Ajo që e rregullon sportin, sepse të vjen keq kur shikon ekipin e Vllaznisë në këtë gjendje, është ligji për sponsorizimin, ku të gjithë ato biznesmenët shkodranë do ishin dashamirës dhe do kishin dëshirë për të dhënë për ekipin e Vllaznisë, ashtu siç do kishin dëshirë të gjithë sponsorët për të dhënë diçka tek ekipet e qyteteve të tyre dhe ndryshe do ishte, ashtu siç është në Kosovë sot”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran i Besëlidhjes, Afrim Bilali.
Maringlen ZHIVANI